Skip to main content

Pas suksesit të projektit Vrapo Për Sharr dhe interesit të madh të publikut për shfaqjen e dokumentarit, organizata jonë vendosi që të organizoi një turne të shfaqjes së këtij projekti nëpër shkollat e Kosovës, ashtuqë mesazhi I dokumentarit të arrij tek gjeneratat e reja që edhe e trashëgojnë tokën dhe burimet e saj.

Kishim  kënaqësinë që së bashku me nxënësit e klasave 5-9, në shkollën fillore Qamil Batalli, të shfaqim dokumentarin “Vrapo për Sharr” dhe të diskutojmë për urgjencën klimatike, dëmet që i kanosen pyjeve tona, speciet në zhdukje si dhe mënyrat individuale se si mundemi secili prej nesh të kontribuojmë në mbrojtjen e natyrës dhe të qenit me plot vendosmëri kundër dëmtimit të saj.

Fëmijët ishin shumë kurioz dhe aktiv për të trajtuar temën në fjalë dhe kjo është një tregues se sa shumë ka nevojë që të organizohen aktivitete te ngjashme në shkollat Kosovare. Përveç kësaj ata ishin te njoftuar me personalitetin e Uta Ibrahimi dhe as pyetjet për Himalajet nuk munguan.

Poashtu dokumentari u shfaq edhe në Prizren në shkollën “Abdyl Frashëri” para një grupi të përzgjedhur nxënësish të klasave të pesta, të gjithë shumë të apasionuar me natyrën dhe sportin.

Ky grup ishte shumë i interesuar për strategjinë e mëtutjeshme të Butterfly outdoor për projektet që kanë për qëllim mbrojtjen e natyrës si dhe pjesëmarrjen në sporte malore. Ata shprehën gatishmërinë që vullnetarisht të marrin pjesë në aktivitete për mbrojtjen e ambientit. Ata propozuan që të mbahen aktivitete për pastrimin e zonave përreth si dhe mbjelljen e drunjëve dhe luleve. Mirëpo Butterfly ka shumë surpriza për muajt në vijim ku do të angazhohen fëmijët e adoleshentët, padyshim edhe disa nga shkollat që kemi njoftuar në turneun tonë këtë javë, në aktivitete prej të cilave përfitojnë edhe fëmijët por edhe komuniteti.

Është kënaqësi e madhe të shohësh rezultat të menjëhershëm, ngazëllimi dhe gatishmëria e nxënësve dhe drejtorit për të realizuar të gjitha të thënat edhe në praktikë na gëzoi tej mase.

Projekti synon që gjeneratat e reja të përshihen sa më shumë në temat që ndërlidhen me ambientin dhe mbrojtjen e tij, e me të edhe ngritjen e vetëdijes komunitare për natyrën dhe resurset e saj si dhe inspirimin e fëmijëve për të qenë qytetarë aktiv dhe ushtarë të natyrës, si dhe të inkurajohen për pjesëmarrje në sporte që ushtrohen në natyrë.