Utalaya Foundation ka kënaqësinë të njoftojë se dokumentari “AJO MAL”, i konceptuar dhe implementuar nga vetë fondacioni me përkrahjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, UN Women Kosovo, dhe Black Yak, tashmë është i qasshëm për publikun e gjerë në platformën YouTube. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në premierat në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, si dhe në prezantimin ndërkombëtar në Environmental Film Festival in the Nation’s Capital (DCEFF) në Washington D.C., dokumentari është publikuar për të gjithë ata që nuk patën mundësi ta ndjekin më parë.
Shikoni dokumentarin këtu:
“AJO MAL” është më shumë sesa një dokumentar – është një rrëfim frymëzues për guximin, ndryshimin dhe lidhjen mes vajzave të reja të Kosovës dhe natyrës së egër që i rrethon. Përmes tri ekspeditave dyditore nëpër Bjeshkët e Kosovës, 20 vajza të reja morën pjesë në një aventurë të jashtëzakonshme të udhëhequr nga alpinistja e njohur Uta Ibrahimi. Dokumentari ndjek përvojën e pjesëmarrëseve ndërsa mësojnë orientimin në natyrë, përdorimin e hartave dhe busullës, ngritjen e kampit, ngjitjen përmes via ferratave, dhe jetesën në tenda.
Në këtë udhëtim përvetësojnë aftësi udhëheqëse, marrin frymëzim nga fjalimet e mysafirëve të veçantë dhe e kthejnë natyrën në aleate të fuqizimit të tyre personal e shoqëror. “AJO MAL” lindi nga dëshira për të thyer kufijtë e padukshëm që ndajnë vajzat e reja të Kosovës nga natyra, aventura dhe lidershipi. Në një shoqëri ku malet shpesh janë parë si terren i vështirë dhe “jo për vajza”, ky projekt nisi një udhëtim ndryshe: një marshim drejt vetëbesimit, fuqizimit dhe ndërgjegjësimit për natyrën.
Ky projekt vjen si një akt simbolik i rikthimit të maleve – që dikur mbartnin plagët e luftës së vitit 1999 – në hapësira shprese, qetësie, fuqizimi dhe të drejtash të barabarta. Në thelb, shpalos fuqinë transformuese të natyrës dhe potencialin e grave për të qenë lidere në çdo fushë, përfshirë atë të alpinizmit, që tradicionalisht është dominuar nga burrat.
Uta Ibrahimi, ideatore dhe producente ekzekutive e dokumentarit, shprehet:
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që dokumentari ‘Ajo Mal’ është tashmë i qasshëm për publikun e gjerë. Shpresoj që ai të frymëzojë të rinjtë e Kosovës që, qoftë edhe për pak kohë, të lënë pas ekranet, angazhimet apo stresin e përditshëm, dhe të kthejnë vëmendjen drejt bjeshkëve tona të mrekullueshme – gjithmonë me dashuri, respekt dhe kujdes për to.”
“AJO MAL” është një ftesë për gjithë shoqërinë që të rimendojë raportin me malet: jo si vende të izolimit dhe dhimbjes, por si peizazhe shërimi, frymëzimi dhe fuqizimi për të gjithë – veçanërisht për vajzat. Në fund, Utalaya Foundation riafirmon përkushtimin e saj ndaj projekteve që fuqizojnë gratë, rininë dhe natyrën në Kosovë. Fondacioni mbetet i hapur për bashkëpunime të reja dhe pret me entuziazëm zhvillimin e edicionit të dytë të “AJO MAL”, ku më shumë individë do të angazhohen, përfitojnë dhe do të sjellin risi që forcojnë lidhjen mes komunitetit dhe maleve tona.