THIRRJE PËR APLIKIME
Bëhu Pjesë e një Aventurë Frymëzuese!
Me mbështetjen e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Kosovë, UN Women dhe Blackyack, Fondacioni Utalaya po nis projektin “She’s Mountain/Ajo’Mal.” Ne po kërkojmë 15 vajza të reja të moshës 17-30 vjeç, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare, për të marrë pjesë në ekspedita dy-ditore përmes maleve mahnitëse të Kosovës (Malet e Sharrit, Malet e Rugovës, Malet e Gacaferrit). Shpenzimet e ekspeditave, të udhëhequra dhe të mentoruara nga alpinistja e njohur Uta Ibrahimi, do të mbulohen plotësisht.
Nëse je e pasionuar pas ecjeve, natyrës dhe mbrojtjes së mjedisit, ky është shansi yt për të aplikuar dhe për t’u bashkuar në një mundësi të jashtëzakonshme për të mësuar rreth udhëheqjes malore, alpinizmit dhe bukurive natyrore të Kosovës. Krahas mentorimit të Uta Ibrahimit, pjesëmarrëset do të fitojnë aftësi në ecje, avokim dhe zhvillim personal.
Afati i aplikimit: 09 tetor 2024!
Ekspeditat do të zhvillohen gjatë fundjavave pëgjatë muajit tetor dhe nentor dhe secila pjesëmarrëse do të ketë mundësi të marrë pjesë në një fundjavë.
Kush Mund të Aplikojë?
● Të gjitha vajzat me shtetësi dhe banim në Kosovë nga të gjitha komunat (inkurajohen aplikimet nga zonat rurale dhe nga komuniteti Romë, Ashkali, Egjiptas, Turk, Boshnjak dhe Serb)
● Vajza që kërkojnë përvoja të reja
● Studente të universitetit në Edukatë Fizike, Ekologji, Biologji, Gjeografi dhe Turizëm, por jo të kufizuara në këto (çdokush që ndjehet e përshtatshme për të marrë pjesë është e mirëseardhur)
● Vajza që kërkojnë aktivitete fizike për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor
● Vajza të interesuara për të zhvilluar aftësi si udhëheqëse malore
Kriteret:
● Femër
●E pasionuar pas natyrës dhe ruajtjes së saj
● Aftësi të mira komunikuese dhe kuriozitet për të mësuar gjëra të reja
● E hapur për debat dhe diskutim
● Të pëlqejë punën në ekip
● Të ndjehet e rehatshme të shprehet përpara kamerës
● E disiplinuar dhe e gatshme për t’u përmbajtur datave dhe orareve të aktiviteteve
Si të Aplikoni?
Dërgoni një video të shkurtër në [email protected] (krijo drive link) duke shpjeguar pse jeni personi i duhur për këtë iniciativë dhe motivimin tuaj për të aplikuar. Përfshini një CV ku detajohen arsimimi juaj, gjuhët që flisni dhe aftësitë përkatëse (përvoja e punës nuk kërkohet). Gjithashtu, ofroni një listë të majave dhe maleve që keni ngjitur (nëse ka) dhe referenca nga klube ose organizata që kanë udhëhequr ato ecje.
Shpenzimet e Mbulueshme:
● Ekspeditat dhe mentorimi
● Ushqimi, akomodimi, veshjet alpine dhe transporti (për ekspeditat në Malet e Sharrit, Malet e Rugovës, ose Malet e Gacaferrit)
● Veshjet, pajisjet dhe të gjitha materialet e nevojshme për aktivitete
● Certifikatë pjesëmarrjeje/vlerësimi
Shpenzimet e Pamundësuara:
● Transporti për sesionin informues dhe rekrutues në Gërmi, Prishtinë
● Transporti për premierat e dokumentarit në Prishtinë, Prizren dhe Pejë
VËMENDJE!
Gjatë ekspeditave do të xhirohen disa segmente, duke i dhënë mundësinë pjesëmarrëseve të ndajnë përshtypjet e tyre për këtë përvojë. Një dokumentar i shkurtër do të krijohet duke përfshirë Utën dhe të gjitha pjesëmarrëset, duke dhënë mesazhe dhe inkurajuar vajzat e tjera që të bashkohen në këtë mision të përbashkët dhe të tregojnë komunitetit se vajzat janë të forta, të qëndrueshme dhe madhështore si malet.
Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të mbushur me përfitime, kujtime të mira dhe ndikim pozitiv.