Skip to main content

Në kuadër të projektit NaturKosovo, të mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Ambasada e Italisë në Prishtinë javën e kaluar u shënua një moment i rëndësishëm përmes një ekspeditë të gjatë në zemrën e shtigjeve magjepsëse të Via Dinarica në Kosovë.

Ky aktivitet përfaqëson jo vetëm një udhëtim në natyrën e paprekur, por edhe një hap të rëndësishëm drejt hulumtimit dhe forcimit të lidhjeve midis akterëve të projektit me njerëzit lokal dhe promovimit të trashëgimisë së pasur natyrore e kulturore të këtij rajoni të jashtëzakonshëm.

Ekipi përgjegjës për krijimin e përmbajtjes së shtegut, bashkë me guidë, fotograf, kameraman, e tekstshkruajtës, nga data 19 gusht deri më 26 gusht 2024, nën udhëheqjen e organizatës së vetme lokale të përfshirë në projekt “Utalaya Foundation”, me mbështetjen e anëtarëve të OJQ- së italiane “Volontari nel Mondo RTM”, ka filluar punimet përgatitore për zhvillimin e web faqes dhe librit udhëzues për shtigjet malore të Via Dinarica në Kosovë.

U organizua një ecje 8 ditore nga Peja në Junik, duke kaluar nëpër komunën e Deçanit me kalime nëpër lokacionet kyçe si: Lipa, Stedim, Hajla, Boga, Haxhaj, Kuqishtë, Milishevc, Bjeshkët e Gacaferrit dhe Gropa e Erenikut duke e përfunduar në Koshare.

Aktiviteti ishte thelbësor për mbledhjen e informacioneve në lidhje me shtigjet e Via Dinarica-s, të cilat do të përfshihen në faqen e internetit dhe në udhëzuesin për ecje malore.

“Të dy këto mjete komunikimi do të promovojnë rrugët, trashëgiminë natyrore dhe shërbimet e ofruara nga komunitetet lokale përgjatë Via Dinarica në Kosovë.

Shtigjet e Via Dinarica-s përshkojnë vargmalet e larta të Alpeve Dinarike, duke kaluar nga Sllovenia deri në Shqipëri dhe duke zënë vend në zemrën e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor.