Skip to main content

Projekti Ajo Mal, i zbatuar nga Fondacioni Utalaya, mblodhi vajza dhe gra nga profesione dhe zona të ndryshme të Kosovës, duke i rikthyer në malet tona. Ky udhëtim unifikues shndërroi traumën kolektive të izolimit dhe frikës në dashuri për natyrën, duke promovuar përfshirjen e grave në sport dhe avokimin për barazi gjinore. Me mbështetjen e partnerëve si Ambasada e Zvicrës dhe UN Women Kosovo, projekti tregoi fuqinë e grave për të sfiduar majat e maleve dhe të jetës.

Drejtoresha e Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi, e cila udhëhoqi ekspeditat, ndau përvojën e saj personale:

“Frika ime për të qenit e vetme në mal vjen nga një paranojë e rrënjosur në kohën e luftës, kur si
fëmijë dëgjonim rrëfime të dhimbshme për masakrat dhe dhunimet. Por me kalimin e viteve, duke sfiduar këtë frikë, kam arritur të eksploroj male të shumta në Kosovë dhe në botë, shpesh e vetme. Inspirimin e kam marrë nga gratë e forta, fillimisht për të promovuar shtetin e Kosovës. Sot, përmes ‘Ajo Mal’, dua t’ua hap derën grave dhe vajzave që të rikthehen te zanafilla e tyre, tek malet e Kosovës.”

 

Ngjarja kulmore u nderua nga pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, i cili theksoi:
“Ajo Mal” le të jetë frymëzim për të gjithë ne, duke promovuar një Kosovë më të fortë, më të gjelbër dhe të bashkuar. Ai përmbylli fjalimin e tij me një vlerësim për iniciativën dhe gratë që e udhëhoqën: “Mali përkulet para saj“.

 


Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Jürg Sprecher, vlerësoi projektin dhe dokumentarin si dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të grave për të ndërtuar të ardhme më të ndritur për Kosovën.

Përfaqësuesja e UN Women Kosovo, znj. Linda Sanaja-Ukmata, shtoi se projekti koincidon me
Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe nisjen e fushatës 16 Ditë të
Aktivizmit, duke inkurajuar guximin dhe solidaritetin për të drejtat e grave.